Për 6-8 persona ju nevojiten
5 kokrra vezë
1 filxhan çaji sheqer
500 gr krem mascarpone
400 gr biskota savoiardi
4 kafe ekspres
2 luge gjelle pluhur kakao për zbukurim
disa luleshtrydhe për zbukurim
Ndani në dy tasa të verdhat nga të bardhat e 3 kokrrave vezë. 2 kokrrat
e tjera hidhini të plota tek tasi me të verdhat. Rrihini me mikser fort
derisa të bëhen si krem i njëtrajtshëm. Hidhni sheqerin dhe vazhdoni
t’i rrihni derisa sheqeri të tretet plotësisht dhe përzierja të jetë
bërë një krem i qëndrueshëm.
Në tasin tjetër, ku kemi të
bardhat e vezëve hidhini shumë pak kripë dhe filloni t’i rrihni derisa
të bëhen si borë dhe shkuma të qëndrojë e palëvizshme në tas edhe nëse
tasin e ktheni përmbys (kripa ndihmon që shkuma të bëhet më e
qëndrueshme).
Në tasin ku kemi kremin e të verdhave hedhim
ngadalë kremin mascarpone dhe vazhdojmë rrahjen. Pastaj bashkojmë të
bardhat e vezëve duke pasur kujdes me përzierjen në mënyrë që kremit mos
t’i ulet volumi.
Tani fillojmë ta shtrojmë ëmbëlsirën. Vendosim një shtresë krem të përgatitur.
Pastaj ngjyejmë biskotat savoiardi në kafe dhe i vendosim mbi krem. E
përsërisim këtë veprim disa herë. Kjo është receta klasike e tiramisusë.
Nëse doni në shtresën e mesit mund të shtoni disa feta luleshtrydhe, apo disa copa çokollate…përdorni fantazinë tuaj.
Pasi ka përfunduar shtrimi e spërkasim përsipër me kakao dhe e zbukurojmë me luleshtrydhe.
Ëmbëlsira duhet të qëndrojë disa orë në frigorifer para konsumimit.